Fjalët e urta 9

<< Fjalët e urta 9 >>
Proverbs 9 Albanian
 

1 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.

3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:

4 Ai që është budalla të vijë këtu!. Atij që i mungon gjykimi i thotë:

5 Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.

6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".

7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.

8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.

12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.

13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.

14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,

15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:

16 Ai që është budalla të vijë këtu!. Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:

17 Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme.

18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.