Jobi 30
Albanian
1Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t'i vija midis qenve të kopesë sime.

2Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.

3Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,

4duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.

5Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.

6Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;

7ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;

8njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.

9Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.

10Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.

11Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.

12Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.

13Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.

14Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.

15Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.

16Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.

17Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.

18Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.

19Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,

20Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.

21Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.

22Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.

23E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.

24me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.

25A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin?

26Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira.

27Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh.

28Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë.

29Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin.

30Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia.

31Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Job 29
Top of Page
Top of Page