Jobi 29
Albanian
1Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

2Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

3kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

4siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

5kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

6kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

7Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

8të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

9princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

10zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

11veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

12sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

13Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.

14Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.

15Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;

16isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.

17I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.

18Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;

19rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;

20lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".

21Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.

22Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.

23Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.

24Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.

25Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Job 28
Top of Page
Top of Page