Ester 9
Albanian
1Muajin e dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, ditën e trembëdhjetë të muajit, kur duhet të zbatoheshin urdhri dhe dekreti i mbretit, dita në të cilën armiqtë e Judejve shpresonin të sundonin mbi 2Judejtë u mblodhën në qytetet e tyre, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, për të shtrirë dorën kundër atyre që kërkonin t'u bënin keq; dhe askush nuk mundi t'u rezistonte atyre, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë tërë popujt. 3Tërë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët dhe ata që merreshin me punët e mbretit i përkrahën Judejtë, sepse tmerri i Mardokeut i kishte zënë. 4Në fakt Mardokeu ishte i madh në pallatin e mbretit, dhe fama e tij përhapej në të gjitha krahinat, sepse ky njeri, Mardokeu, bëhej gjithnjë më i madh. 5Kështu Judejtë goditën tërë armiqtë e tyre, duke i kaluar në tehun e shpatës dhe duke kryer një kërdi dhe një shkatërrim të madh; u sollën si deshën me armiqtë e tyre. 6Në qytetin e Suzës Judejtë vranë dhe shfarosën pesëqind njerëz; 7vranë edhe Parshandathan, Dalfonin, Aspathan, 8Porathan, Adalian, Aridathan, 9Parmashtan, Arisain, Aridain dhe Vajezathan, 10dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamedathas, armiku i Judejve, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

11Po atë ditë numri i atyre që ishin vrarë në qytetin e Suzës iu njoftua mbretit. 12Mbreti i tha atëherë mbretëreshës Ester: "Në qytetin e Suzës Judejte kanë vrarë dhe shfarosur pesëqind njerëz dhe dhjetë bij të Hamanit; çfarë kanë bërë vallë në krahinat e tjera të mbretit? Tani cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë tjetër kërkon? Do të bëhet". 13Atëherë Esteri tha: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të lejohen Judejtë që janë në Suzë të bëjnë edhe nesër atë që është dekretuar për sot; dhe të varen në trekëmbësh të dhjetë bijtë e Hamanit". 14Mbreti urdhëroi që të veprohej pikërisht kështu. Dekreti u nxuarr në Suza dhe dhjetë bijtë e Hamanit u varën në trekëmbësh. 15Judejtë që ishin në Suza u mblodhën edhe ditën e katërmbëdhjetë të muajit të Adarit dhe vranë në Suza treqind njerëz; por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

16Edhe Judejtë e tjerë që ishin në krahinat e mbretit u mblodhën, për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të qenë të sigurt nga sulmet e armiqve të tyre; vranë shtatëdhjetë e pesë mijë nga ata që i urrenin, por nuk u dhanë pas plaçkitjes. 17Kjo ndodhi ditën e trembëdhjetë të muajit të Adarit; ditën e katërmbëdhjetë u çlodhën dhe e kthyen në një ditë banketi e gëzimi.

18Judejtë që ishin në Suza u grumbulluan përkundrazi ditën e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë; ditën e pesëmbëdhjetë të muajit u çlodhën, e bënë ditë banketi dhe gëzimi. 19Për këtë arësye Judejtë e fushës, që banojnë në qytete pa mure, e kanë bërë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të Adarit një ditë gëzimi, banketesh dhe feste, dhe në këtë ditë i dërgojnë dhurata njeri-tjetrit.

20Mardokeu i shkroi tërë këto gjëra dhe u dërgoi letra tërë Judejve që ishin në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, afër dhe larg, 21për t'i urdhëruar të kremtonin çdo vit ditën e katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të muajit të Adarit, 22si ditët gjatë të cilave Judejtë patën pushim nga sulmet e armiqve të tyre, dhe si muaji në të cilin dhembja e tyre u kthye në gëzim dhe zia në festë, dhe kështu ato t'i bënin ditë banketi e gëzimi, gjatë të cilave t'i dërgonin dhurata njeri-tjetrit dhe t'u bënin dhurata të varfërve.

23Judejtë u zotuan të respektonin atë që kishin filluar të bënin, ashtu si u kishte shkruar atyre Mardokeu. 24Në fakt Hamani, bir i Hamedathas, Agagitit, armiku i të gjithë Judejve, kishte komplotuar kundër Judejve për t'i shkatërruar dhe kishte hedhur Purin (domethënë kishte hedhur shortin), për t'i shfarosur dhe për t'i shkatërruar. 25Por kur Esteri u paraqit para mbretit, ky urdhëroi me shkrim që komploti i keq që Hamani kishte kurdisur kundër Judejve të binte mbi kryet e tij dhe që ai dhe bijtë e tij të vareshin në trekëmbësh. 26Prandaj ato ditë u quajtën Purim, nga fjala Pur. Në përshtatje, pra, me të gjitha ato që ishin shkruar në atë letër, me të gjitha ato që kishin parë lidhur me këtë dhe me ato që kishin ndodhur, 27Judejtë vendosën të zotoheshin pa iu shmangur për vete, për pasardhësit e tyre dhe për të gjithë ata që do të bashkoheshin me ta, të kremtonin çdo vit këto dy ditë sipas udhëzimeve të shkruara dhe kohës së caktuar. 28Ato ditë duhet të kujtoheshin dhe të kremtoheshin brez pas brezi, në çdo familje, në çdo krahinë, në çdo qytet; në asnjë mënyrë Judejtë nuk duhet të hiqnin dorë nga kremtimi i këtyre ditëve të Purimit, dhe kujtimi i tyre nuk duhet të zhdukej te pasardhësit e tyre.

29Mbretëresha Ester, bijë e Abihailit, dhe Judeu Mardoke shkruan me autoritet të plotë letrën e tyre të dytë lidhur me Purimin. 30Mardokeu u dërgoi letra tërë Judejve në njëqind e njëzet e shtatë krahina të mbretërisë së Asueros, me fjalë paqeje dhe të së vërtetës. 31për t'i vendosur ato ditë të Purimit në kohën e caktuar, siç i kishin vendosur atyre Judeu Mardoke dhe mbretëresha Ester ashtu si kishin vendosur ata vetë për vete dhe për pasardhësit e tyre me rastin e agjerimit të tyre dhe të britmës së tyre. 32Kështu dekreti i Esterit fiksoi caktimin e Purimit dhe u shkrua në një libër.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Esther 8
Top of Page
Top of Page